Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit sot mbërritën 60 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac duke garantuar dozën e dytë për qytetarët që deri tani kanë marrë të parën kundër koronavirusit. Në aeroport ishin Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Manastirliu deklaroi:
60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac të Sinovac-ut. Ato do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë e duhet të vijojnë vaksinimin me të dytën. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur.
Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se nesër vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer.
E kemi vendosur të arrijmë një milion vaksinime brenda qershorit. Duke filluar nga dita e nesërme, sërish vijnë vaksina, janë 14.040 vaksina nga kontrata jonë me Pfizer-in dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj e në fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë 40 mijë vaksina të AstraZeneca-s nga instrumenti COVAX.
Duke folur për planin e vaksinimit, Manastirliu deklaroi se me ardhjen e vaksinave do të ulet fasha e do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjësit e transportit publik.
Ndërkaq, Ministri i Shteti për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se fondet për vaksinim janë planifikuar edhe në periudhën afatmesme.
Kemi planifikuar në buxhetet afatmesme mjetet e plota financiare për të mos lënë asnjë qytetarë pa vaksinuar, ndihmë dhe kujdes!
Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur 833.010 doza vaksine anti-COVID. Janë kryer 712.446 doza dhe prej tyre, 240.709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat. Në vendin tonë përdoren vaksinat Pfizer&BioNTech, AstraZeneca, Sinovac e Sputnik V.