Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 29 qershor të këtij viti në jug të Otavës, në Kanada. Një dentist dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e tij të vegjël, 7 dhe 12 vjeç, në shtëpi. Jo vetëm kaq, pasi ai i ka vënë flakën vetes brenda makinës. Policia e Otavës ka njoftuar se para se të kryente vetëvrasjen, 40-vjeçari dyshohet se i vuri flakën klinikës dentare ku punonte, duke përdorur kokteje molotov.
Sipas informacioneve të CBS News, Mohammed Al-Lami kishte dërguar dy vite më parë një e-mail kërcënues ndaj ish-bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve të tij. Në mesazh, ai dyshohet se kishte shkruar: “Do të vras të gjithë ata që janë rreth teje dhe të dashurin tënd… në një mënyrë shumë të egër dhe barbare”.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë. Al-Lami kishte lëshuar kritika të ashpra ndaj ish-bashkëshortes së tij, si dhe ndaj sistemit të drejtësisë penale dhe gjykatës së familjes, në një shënim të shkruar me dorë prej disa faqesh, i cili u gjet në zyrën e tij.
Në shënim ai përmendi tre persona, të cilët i konsideronte të korruptuar, duke bërë që autoritetet të vepronin me shpejtësi për të garantuar sigurinë e tyre. Ai gjithashtu pretendonte se ish-gruaja e tij ishte personi që kishte ushtruar dhunë në marrëdhënien e tyre. Sipas dokumenteve gjyqësore, 40-vjeçari ndodhej në një periudhë aktive prove pasi ishte akuzuar në vitin 2024 për kërcënim me dëmtim fizik ndaj ish-bashkëshortes dhe nënës së dy djemve të vrarë.
Gjatë një procesi të shkurtër gjyqësor në shkurt të këtij viti, Al-Lami përfaqësoi veten dhe refuzoi propozimin e gjykatës për zgjidhjen e çështjes përmes një angazhimi njëvjeçar për sjellje të mirë. Ish-bashkëshortja e tij, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, deklaroi në gjykatë se çifti kishte qenë i martuar dhe kishte dy fëmijë para se të ndaheshin në vitin 2022.
Pas ndarjes, dentisti kishte ndaluar së paguari detyrimet për fëmijët dhe në vitin 2024 i kishte dërguar ish-gruas një email tronditës me një seri kërcënimesh. “Do të vras të gjithë ata që janë rreth teje dhe të dashurin tënd… në një mënyrë shumë të egër dhe barbare. Ty nuk do të të vras. Do të të lë vetëm, të paralizuar në një karrige me rrota, pa mundur të lëvizësh, madje as për të vizituar varret e njerëzve të tu të dashur”, thuhej ndër të tjera në mesazh.
“Do të të bëj shembull të sistemit të padrejtë gjyqësor. Do të të bëj lajm në të gjithë botën. Kur më bën diçka të keqe, ti e paguan. E paguan ose përmes detyrimeve financiare ose me çdo gjë që unë e konsideroj të përshtatshme për t’iu përgjigjur veprimeve të tua, derisa ta përfundoj në mënyrën që më pëlqen për ty dhe për atë derrin tënd”, kishte shkruar ai, duke iu referuar partnerit aktual të ish-gruas. Gruaja dëshmoi se kishte mbetur “e tronditur” nga fjalët e ish-bashkëshortit dhe se ajo thjesht i kishte kërkuar pagesën për fëmijët.
Gjatë marrjes në pyetje në gjykatë, ajo tha se vendosi të fliste për e-mailin kërcënues për shkak të shqetësimit për fëmijët e saj dhe me kërkesë të partnerit të saj aktual. “Thjesht mendova: po sikur kjo të ndodhte vërtet? Kush do të kujdesej për fëmijët e mi nëse mua më ndodhte diçka? Nuk e di çfarë mund të ndodhë. Nuk doja të jetoja me këtë pasiguri”, dëshmoi ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk i kishte marrë seriozisht kërcënimet e mëparshme të tij. Al-Lami i tha gjyqtarit se “nuk kishte asgjë për të thënë” në lidhje me akuzat. Më vonë, një gjyqtar e dënoi me 12 muaj periudhë prove, duke refuzuar kërkesat e prokurorisë për një program trajtimi dhe marrjen e mostrës së ADN-së. Policia deklaroi se vijon hetimin për rastin e vrasjes-vetëvrasjes dhe do të publikojë më shumë informacione pasi të përfundojnë ekzaminimet mjeko-ligjore. Autoritetet kanë vendosur të mos publikojnë emrat e fëmijëve, në respekt të nënës së tyre, të cilën aktualisht “po e mbështesin”.