Policia e Kosovës mbyll objektet e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Përmes një njoftimi, policia raportoi se është duke kontrolluar objektet e kësaj qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri: Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan pasi ka dyshime për veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor.
Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se “po zhvillohet një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut e Zveçan”.
Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Policia e Kosovës kërkoi leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për të kontrolluar objektet e Qendrave për Punë Sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët duke i kërcënuar apo u kanë treguar se si të votojnë, në këmbim të pagesës së ndihmës sociale.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi më shumë vota. Në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.
Lista Serbe reagoi ndaj kontrolleve duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.
Lista Serbe e dënon ashpër këtë veprimtari të paligjshme dhe antiserbe të falangës së Kurtit dhe dërgon mesazh se asnjë nga të punësuarit apo përfiuesit nuk do të mbetet pa të drejtat e veta dhe se sot kryesia e partisë sonë do të takohet me të punësuarit dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme.
Partia më e madhe serbe e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë “lëvizjet në rritje që rrezikojnë në mënyrë drastike jetën e mijëra përfituesve të mirëqenies sociale”. Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë dhe prindër e të ngjashme.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.