Sport

Më 2 maj hidhet shorti i “Nations League” 2023-2024 për vajza!

Të martën e 2 majit, Shqipëria e vajzave do të njohë ekipet kundërshtare që pritet të ketë përballë në UEFA Nations League 2023/2024, me shortin që do të hidhet në selinë qendrore të UEFA-s në Zvicër, nga ora 13:00. Kombëtarja e drejtuar nga Armir Grima e ka një panoramë të skuadrave rivale të grupit në këtë edicion të parë për vajza. Ndërkaq, finalet, ngritjet apo rëniet në Ligat A, B dhe C do të zhvillohen mes datave 21 e 28 shkurt të vitit të ardhshëm.

Falë rezultatit historik të arritur në kualifikueset e kaluara, ku vajzat kuqezi grumbulluan si kurrë më parë 10 pikë në ato të vlefshme për Botërorin 2023, Shqipëria renditet e 32-ta në klasifikimin përfundimtar të UEFA-s duke u ngjitur në Ligën B.

Kjo ligë është e ndarë në katër vazo me nga katër skuadra secila, në total 16.  Kombëtarja shqiptare gjendet në vazon e katërt me Greqinë, Bjellorusinë e Kroacinë, kundërshtare me të cilat nuk do të mund të përballet në këtë edicion.

Ekipet e tjera të Ligës B që pritet të jenë dhe rivalët e mundshëm të Shqipërisë në Ligën e Kombeve janë të ndarë në tre vazo me nga katër skuadra secila. Në vazon e parë gjenden: Irlanda, Polonia, Çekia e Finlanda. Në vazon e dytë: Serbia, Sllovenia, Irlanda e Veriut dhe Rumania, ndërsa në vazon e tretë: Ukraina, Bosnje-Hercegovina, Sllovakia e Hungaria.

Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Në muajin shtator do të luhen dy të parat, në tetor dy takimet e radhës dhe ndeshjet përmbyllëse pritet të luhen në muajt nëntor-dhjetor.

Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, katër ekipet e Ligës B që dalin në krye të grupeve përkatëse do të ngjiten direkt në Ligën A, ndërsa katër ekipet e renditura në vendet e dyta në Ligën B do të përballen me katër skuadrat e renditura në vendet e treta në Ligën A, ku fituesit do të qëndrojnë/zbresin në Ligën A/B.

Tre ekipet e renditura në vendet e treta në Ligën B do të luajnë kundër tre ekipeve të renditura më mirë në grupin C, ndërsa vendi i tretë më i dobët në Ligën B dhe katër vendet e fundit të secilit grup do të zbresin automatikisht në Ligën C.