Aktualitet

Vajza e futbollistit të Tiranës ndërroi jetë tragjikisht, dyshohet se u rrëzua nga krevati!

Vajza e futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, u nda tragjikisht nga jeta mëngjesin e sotëm në kryeqytetin shqiptar. Dyshimet e para të policisë lidhen me një rrëzim nga krevati dykatësh (marinari), çka ka sjellë dëmtime të parikuperueshme.

Prindërit e gjetën me shenja jete, por në gjendje kritike dhe e dërguan me urgjencë në spital, por për fat të keq, as ndihma e specializuar nuk e ka rikthyer në jetë.

KF Tirana është në zi për këtë ngjarje, teksa ndeshja kundër Flamurtarit e planifikuar për sot më 13:30, u shty për nesër në të njëjtën orë, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Klubi bardheblu dhe Federata Shqiptare e Futbollit shprehën ngushëllime.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu ngushëllime:

Lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të vajzës së vogël të futbollistit të KF Tirana, Freddy Alvarez më ka tronditur pa masë.

Në këto momente të vështira, fjalët janë të pakta për të lehtësuar dhimbjen e një prindi dhe të një familjeje.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Freddy Alvarez-it, familjes së tij dhe klubit të Tiranës.

Jemi pranë jush në këtë humbje të pazëvendësueshme. U prehtë në paqe engjëlli i vogël!