I arrestuar dje pasi plagosi vajzën e tij me thikë dhe një person tjetër, në dëshminë në polici, Mikel Ndoji deklaroi se ishte i dehur e në gjendje të rënduar psikologjike. 56 vjeçari tregoi se kishte si qëllim që të ribashkohej me familjen, por vajza ishte kundër. Kështu e justifikoi sulmin me thikë ndaj 24 vjeçares dhe kolegut të saj të punës, në ngjarjen tronditëse të një dite më parë, në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar.
Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen, por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më.
Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai.
Më pas, ika dhe u fsheha diku afër repartit zjarrfikës. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shume keq.