Tom Holland ka folur me admirim për bashkëshorten e tij, Zendaya, duke zbuluar se puna krah saj në filmin e ri epik The Odyssey i ka dhënë më shumë vetëbesim si aktor. Nga ana tjetër, edhe Zendaya nuk i kurseu fjalët e ngrohta, duke e cilësuar si “një ëndërr” mundësinë për të ndarë ekranin me njeriun që dashuron.
Çifti, që konfirmoi martesën muajin e kaluar, vazhdon të jetë një nga më të komentuarit në Hollywood. Ata janë shfaqur së fundmi së bashku në premierën botërore të The Odyssey, filmi i ri i regjisorit Christopher Nolan.
Në produksionin e shumëpritur, Zendaya interpreton Athena-n, perëndeshën greke të mençurisë, luftës dhe zejtarisë, ndërsa Tom Holland luan Telemakun, djalin e Odiseut dhe princin e Itakës.
Gjatë premierës, Holland u pyet se çfarë kishte mësuar nga puna e përbashkët me Zendayan. Përgjigjja e tij ishte plot vlerësim.
Kam mësuar të jem më i sigurt në vete dhe më guximtar. Ajo bën zgjedhje të mëdha kur interpreton personazhe
-tha ai.
Aktori shpjegoi se e admiron mënyrën se si Zendaya i ndërton rolet e saj, pa pasur frikë të eksperimentojë.
Ajo nuk ka frikë t’i krijojë personazhet e saj dhe e bën këtë në një mënyrë që i bën ata të duken si njerëz të vërtetë
-u shpreh Holland.
Në një intervistë për Entertainment Tonight, ai shtoi se pikërisht guximi artistik i bashkëshortes është një nga cilësitë që e frymëzon më shumë.
Ajo merr vendime të mëdha dhe të guximshme në aktrim. Mendoj se ka shumë pak aktorë që mund ta bëjnë këtë aq mirë sa ajo, dhe mua më pëlqen ta shoh duke punuar
-tha ai.
Edhe Zendaya ndau emocionet e saj për projektin, duke zbuluar se ishte jashtëzakonisht krenare kur Tom mori rolin në filmin e Christopher Nolan.
Më kujtohet kur mori telefonatën për rolin. Isha jashtëzakonisht e lumtur, shumë e emocionuar dhe tepër krenare për të
-tha aktorja në një intervistë për Extra.
Ajo pranoi se gëzimi u bë edhe më i madh kur mori lajmin se edhe vetë do t’i bashkohej kastit të filmit.
Ishte një ëndërr të punoja me të në këtë projekt. Të ndaja një përvojë të tillë me Tomin ishte diçka shumë e veçantë
-u shpreh Zendaya.
Deklaratat e çiftit kanë prekur fansat, të cilët i kanë cilësuar fjalët e tyre si një dëshmi të mbështetjes dhe respektit që kanë për njëri-tjetrin, si në jetë, ashtu edhe në karrierë.