Me një diferencë fare të ngushtë prej vetëm 23 votash, në Rrogozhinë fiton kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla kundrejt rivalit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha. Socialistët nisën festën, ndërsa pala tjetër përgatitet për hapat e kontestimit. 247 ishin votat e pavlefshme dhe po ashtu do të kërkohen verifikime në drejtim të votave të hedhura nga të burgosurit.
Një garë e ethshme edhe në Himarë, ku ende duhet të numërohen dy kuti. Siç njofton korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, i cili po ndjek nga afër procesin, Jorgo Goro i Partisë Socialiste është momentalisht 44 vota përpara rivalit Fredi Beleri.
Tre ditë më parë, Himara u vendos në qendër të vëmendjes për faktin që kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Beleri u arrestua në orët e para të mëngjesit të së premtes për shit-blerje të votave. Athina zyrtare reagoi duke kërkuar nga autoritetet shqiptare që ai të lirohet menjëherë. Përfaqësuesit e “Bashkë Fitojmë” folën për “rrëmbim” të 50-vjeçarit Fredi Beleri nga policia.