Me tensionet e vazhdueshme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Iranit dhe sulmet ndërmjet Izraelit e Hezbollahut, veçanërisht në Libanin jugor, armëpushimi është gjithnjë e më i brishtë dhe paqja duket gjithnjë e më e largët, pavarësisht negociatave të vazhdueshme.
Forcat amerikane në Lindjen e Mesme rrëzuan dy dronë sulmues iranianë që kërcënonin trafikun detar ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, thuhet në një postim në X të CENTCOM-it amerikan.
Komanda shton:
Forcat amerikane mbeten të gatshme të vazhdojnë të mbrohen kundër agresionit iranian.
Ndërkohë, gazeta New York Times që citon raportet e Inteligjencës amerikane, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara dyshojnë se Izraeli po intensifikon përpjekjet e tij për të spiunuar zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë të dërguarin special të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, i përfshirë në negociata me Iranin.
Po ashtu, “New York Times” pati zbuluar më parë se ushtria izraelite kishte përdorur fosfor të bardhë, një substancë potencialisht shumë e rrezikshme ndezëse. Përdorimi u konstatua në zonat e populluara të Libanit, gjatë konfliktit me Hezbollahun, grupin militant me bazë në Liban e që mbështetet nga Republika Islamike e Iranit.