Lifestyle Live From Tirana

“Merrni pak kohë dhe…”/Psikologia Bona Miekley ka disa këshilla për prindërit: Ndajini shqetësimet…

E ftuar në “Live From Tirana” me Edea Demaliaj, ka qenë psikologia Bona Miekley, për të folur më shumë mbi prindërimin dhe stilet e ndryshme të prindërimit. Çfarë këshillash ka ajo veçanërisht për nënat e reja?

Në radhë të parë, diçka që do i ndihmojë prindërit që të mos kenë këtë ndjesinë e ankthit, është të kuptojnë se në moment prindërit bëhen hiperaktivë, kanë ndjesinë e të reaguarit të tepërt. Të gjithë e bëjnë këtë, edhe unë e kam bërë, por kështu ne jo vetëm që i shtojmë vetes tonë ankth, por edhe fëmijës. Gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë është që të marrim pak kohë dhe të marrim frymë thellë. Por nëse kjo do të na vazhdojë që tërë kohën të ndihemi prindër me ankth, ne mund ta ndajmë këtë lloj shqetësimi me dikë tjetër. Sepse shpeshherë këto ndjesitë pak si negative, ne i mbajmë për veten tonë sepse kemi frikë nga paragjykimi i dikujt tjetër. Por po sikur ne të flasim me një nënë tjetër që ndoshta e ka kaluar atë fazë dhe mund të jetë një formë inkurajimi, një formë që ne të ndajmë dhe atë pjesën e shqetësimit që ne kemi, sepse mund të na ndihmojë këshilla e dikujt tjetër.

Një nga këshillat për nënat e reja është “fli gjumë, kur fle fëmija yt”. Kur nënat lindin fëmijën e tyre, jo vetëm që punojnë gjatë gjithë ditës, por edhe gjatë natës nuk flenë për shkak të fëmijës që çohet nga gjumi. Një nga këto shprehjet që kam dëgjuar para se të bëhesha nënë, ishte që kur të flejë fëmija, fli dhe ti. Këtë e kam gjetur shumë të vërtetë. Sepse çfarë bëjnë nënat kur bebi i tyre fle? Fillojnë e bëjnë punë, lajnë enët, pastrojnë… Dhe ndodh që energjia e saj fizike dhe emocionale boshatiset dhe shkon në minus.