Inspektor Marsel Bicja u vlerësua me “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për akt heroik e profesional, ku ndërhyri mes flakëve duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov.
Veprimin e inspektorit, Proda e quajti “dëshmi të humanizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”.
Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik.
Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave si një akt që nuk kishte nevojë për komandë, por u udhëhoq nga uniforma dhe ndjenja njerëzore.
Inspektor Marsel Bicja shprehu mirënjohje për certifikatën e akorduar dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.