E planifikuar si kombëtare, protesta e Sali Berishës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, shënoi një pjesëmarrje jo shumë të lartë për një tubim të thirrur në përmasa të tilla.
Në përfundim të fjalimit të Sali Berishës, dhe ndërkohë që ai ishte ende në podium, militantë demokratë hodhën breshëri molotovësh drejt godinës qeveritare
Pjesëmarrja ishte e përafërt me të ashtuquajturat foltore parlamentare-qytetare që kryedemokrati ka zhvilluar përgjatë 5 të hënave të fundit para godinës qeveritare.
Qindra efektivë të Policisë së Shtetit kanë rrethuar Kryeministrinë në kuadër të masave të sigurisë të marra. 1300 mësohet të jetë numri i forcave blu që janë gati ne terren në kuadër të tubimit e demokratëve.
Përballë godinës së qeverisë është ngritur podiumi ku pritet të flasin eksponentët e Partisë Demokratike dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë. Report Tv mëson se mes folësve do të jenë, përveç kryedemokrati Sali Berisha, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deputeti Klevis Balliu, si dhe qytetarë të thjeshtë.
Ky tubim vjen pas 5 protestave që Sali Berisha organizoi poshtë zyrës së Edi Ramës në 5 javët e fundit.
Ky organizim i Partisë Demokratike ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa Berisha është shprehur se protesta do të jetë pa ndalim dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar deri në grevë urie.