Organizatorët e garës së përvitshme të Festivalit Europian të Këngës, Eurovizion, thonë se vendet anëtare do të votojnë në muajin nëntor për të vendosur se cilat shtete mund të marrin pjesë në spektaklin muzikor vitin e ardhshëm, pasi janë shtuar thirrjet në lidhje me përjashtimin e Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Zëdhënësi i Eurovisionit, Dave Goodman, deklaroi sot se bordi i Unionit Europian të Transmetuesve, i cili bashkon transmetuesit publikë, u ka dërguar letër anëtarëve duke i njoftuar se votimi do të zhvillohet në një mbledhje të jashtëzakonshme online në fillim të muajit nëntor.
Shtete si Irlanda, Holanda, Sllovenia e Spanja kanë kërcënuar se nuk do të marrin pjesë në konkurrim, nëse Izraeli nuk përjashtohet nga gara për shkak të luftës në Gaza. Eurovisioni 2026 do të mbahet në muajin maj të vitit të ardhshëm në kryeqytetin austriak Vjenë. Siç dihet, çdo fitues i garanton vendit nga vjen, të drejtën për të qenë mikpritës i eventit në vitin pasues.
Këtë vit, fitues në Bazel të Zvicrës ishte JJ nga Austria me këngën “Wasted Love”. Eurovizion është gara në të cilën këngëtarë nga vende të ndryshme të Europës, përfshirë Shqipërinë, si edhe disa përtej saj, garojnë nën flamurin kombëtar, me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit, pra një lloj Olimpiade e muzikës pop.
Por, po ashtu është si një arenë ku shpesh pasqyrohen politika, si dhe rivalitete rajonale. Rusia u përjashtua nga Eurovizioni pasi nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.