Aktualitet Politikë

Ministri Hoxha takim me të ngarkuarën e SHBA-së: Diskutuam për sigurinë dhe forcimin e Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha takoi sot të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn.

Gjatë takimit u diskutua rreth çështjeve të bashkëpunimit dypalësh, sidomos në fushën e sigurisë si dhe të kontributeve të palës amerikane për forcimin e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Në takim, ku ishin të pranishëm edhe diplomatë që shoqëronin Të Ngarkuarën me Punë VanHorn, Hoxha bëri një ekspoze lidhur me angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme në kuadër të procesit të ardhshëm elektoral të 11 majit, sidomos sa i përket Gjendjes Civile dhe Policisë së Shtetit.

Prita sot të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn dhe stafin që e shoqëronte, me të cilët ndava një bisedë të frytshme rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin që shoqërohet me rezultate në rritje.  E informova znj. VanHorn mbi angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme, posaçërisht Policisë dhe GJC, në raport me detyrat dhe përgjegjësitë për procesin elektoral të 11 Majit, si dhe me disa të dhëna nga sondazhi i fundit që mat perceptimin e publikut për sigurinë dhe punën e Policisë, shkroi në rrjetet sociale Hoxha.

Gjatë takimit, Ministri i Brendshëm ka falënderuar posaçërisht përfaqësuesen e SHBA për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë agjencitë amerikane në forcimin dhe modernizimin e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Pata mundësinë të shpreh gjithashtu falënderime për kontributin e palës amerikane dhe partneritetin, sidomos për Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët në të dy vendet, theksoi ministri.