Health & Beauty

Miratohet testi i gjakut për diagnostikimin e Alzheimerit!

Kompania farmaceutike zvicerane Roche ka marrë miratimin evropian për një test gjaku që mund të zbulojë dhe të përjashtojë sëmundjen e Alzheimerit, duke ofruar një alternativë më të thjeshtë dhe më pak invazive krahasuar me metodat aktuale të diagnostikimit. Testi “Elecsys pTau217” është testi i parë i gjakut i krijuar për të sinjalizuar dhe përjashtuar sëmundjen e Alzheimerit dhe tashmë është miratuar për përdorim në Evropë, njoftoi Roche të martën.

Testi, i zhvilluar në bashkëpunim me Eli Lilly and Company, ka marrë shenjën CE, e cila konfirmon sigurinë dhe performancën e tij, duke lejuar përdorimin në Bashkimin Evropian. Sipas kompanisë zvicerane, ky test mundëson një diagnostikim më të shpejtë për miliona pacientë në mbarë botën.

“Lançimi i pTau217 shënon një hap të rëndësishëm në ofrimin e një mjeti të thjeshtë, të bazuar në analizën e gjakut, për diagnostikimin shumë më të hershëm të Alzheimerit”, tha Matt Sause, drejtor ekzekutiv i Roche Diagnostics. Ai shtoi se shumë njerëz aktualisht përballen me një rrugë të gjatë dhe të vështirë drejt diagnozës, shpesh duke u mbështetur në kujdes të specializuar dhe procedura të kushtueshme.

“Duke e sjellë këtë test të avancuar në kujdesin rutinë, ne po ndihmojmë mjekët që të mbështesin pacientët dhe familjet me një vlerësim më të hershëm, i cili është kritik për ndërhyrje në kohë, ndërsa njëkohësisht zvogëlojmë presionin mbi sistemet shëndetësore”. Sëmundja e Alzheimerit është konsideruar prej kohësh si një sëmundje që prek kryesisht të moshuarit, por studimet e fundit sugjerojnë se ndryshimet e para në tru mund të nisin që në moshën 30-vjeçare. Në qendër të këtij zbulimi është një zonë e vogël e trurit e njohur si Locus coeruleus, e cila besohet të luajë një rol vendimtar në fazat e hershme të sëmundjes.

Shkencëtarët kanë vënë re se një nga shenjat e para biologjike është grumbullimi i proteinës anormale Tau, e cila dëmton funksionin normal të qelizave nervore. Këto ndryshime shpesh fillojnë pikërisht në locus coeruleus, një strukturë e vogël, por shumë e rëndësishme që rregullon procese jetike si gjumi, vëmendja, të mësuarit dhe reagimi ndaj stresit. Kjo zonë prodhon gjithashtu Norepinefrina, një kimikat kyç për kujtesën dhe emocionet. Studiuesit theksojnë se dëmtimi i kësaj zone dhe ulja e niveleve të norepinefrinës mund të paraprijnë simptomat e dukshme të Alzheimerit, duke e bërë atë një “sistem paralajmërimi të hershëm” për sëmundjen.