Gjykata e Hagës ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiçit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, entiteti serb i Bosnjës u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladiç i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore. Sipas gjykatës, Mlladiç nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij.
LEXO EDHE: Albin Kurti në Bosnjë: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën!
Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike. Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.
Ratko Mlladiç qëndroi në arrati prej 16 vitesh para se të arrestohej në Serbi në maj të vitit 2011 dhe të ekstradohej gjashtë ditë më vonë në Hagë.
LEXO EDHE: Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës!
Ai u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga OKB-ja në verën e vitit 1995, për ndjekje dhe zhvendosje të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995. Mlladiç u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri tani 6.765 persona. Rreth 250 të tjerë prehen në vende të ndryshme, sipas dëshirës së familjarëve.
Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Para gjykatave të ndryshme, deri tani janë dënuar mbi 50 persona për gjenocid e krime lufte në Srebrenicë, me mbi 700 vite burgim.
Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Radovan Karaxhiç.