Presidenti rus, Vladimir Putin tha se është gati të dokumentojë me shkrim heqjen dorë nga një sulm rus ndaj Evropës, si pjesë e negociatave diplomatike.
Ai tha se ishte një “gënjeshtër” dhe “absurditet i plotë” të pretendohej se Rusia synon të pushtojë Evropën.
“Për ne, kjo tingëllon qesharake. E vërteta është: Ne kurrë nuk kemi pasur ndërmend ta bëjmë këtë. Por nëse ata duan ta dëgjojnë nga ne, atëherë ne do ta dokumentojmë”, tha Putin në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të vizitës se tij në kryeqytetin kirgiz, Bishkek.
Putin ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat nga politikanë gjermanë dhe evropianë se Rusia kërkon të pushtojë vende të tjera evropiane pas Ukrainës.
Megjithatë, siguritë e tij janë vënë në dyshim vazhdimisht nga Perëndimi, veçanërisht që kur ai pushtoi Ukrainën.
Por Putin ka dyfishuar kërkesat e tij kryesore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia do të lëshojë armët vetëm nëse trupat e Kievit tërhiqen nga territori i pretenduar nga Moska. Putini ka kohë që kërkon njohjen ligjore të territoreve ukrainase që Rusia i ka pushtuar me forcë.
Ato përfshijnë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, dhe Donbasin, të përbërë nga Luhansku dhe Donetsku, pjesën më të madhe të të cilit Moska tani e ka të pushtuar.
Për Kievin, i cili ka përjashtuar heqjen dorë nga pjesët e Donbasit që ende mban, shpërblimi i Rusisë për agresionin e saj është një gjë e papranueshme.