Aktualitet

Moti i keq në vend, policia shpëton pesë persona nga përmbytjet në Dimal, mes tyre gruaja 100-vjeçare!

Teksa vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, policia ka shpëtuar nga përmbytjet pesë persona në Dimal.

Policia e Beratit, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 persona, mes tyre e moshuara 100-vjeçare.

Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje.

Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.

Gjatë natës janë përmbytur dhjetëra banesa në Korçë, Pogradec, Devoll e Maliq. Prej 12 orësh, 76-vjeçarja Flora Hoxha, e sëmurë, ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Ka dyshime se mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Proger në Devoll. Mesditen e kësaj të premteje ushtria dhe emergjencat nisen kërkimet. Situata është kritike dhe në Rrëmenj aty ku banorët u zunë në kurth nga uji  dhe lanë shtëpitë në mesnatë me fëmijë në krah.

Situata paraqitet e rënduar edhe në Çukë të Sarandës, ku argjinatura e lumit Bistrica është çarë gjatë natës. Uji ka vërshuar në fushat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Raportohet për 5 banesa të përmbytyra në Çukë, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë për ushqime e veshje.