Autoritetet kanë shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme në pjesën perëndimore të Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve. Si pasojë e reshjeve të shiut për disa ditë radhazi këtë javë, në pjesën më të madhe të Bosnjë-Hercegovinës lumenjtë dolën nga shtrati.
Në komunën e Kostajnicës, në perëndim të vendit ballkanik, niveli i ujit të lumit Una i kaloi 450 centimetra. Gjendja e jashtëzakonshme u shpall si masë parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet edhe në Prijedor, raporton Radio Televizioni i Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnjës.
Më herët gjatë ditës, administrata e qytetit njoftoi se rreth 350 ndërtesa, objekte banimi dhe ndihmëse, u prekën nga përmbytjet gjatë orëve të natës.

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall edhe në Laktash, Gradishka e Çelinaq, si rezultat i rritjes së nivelit të ujit të lumenjve. Niveli i ujit të lumit Ukrina në Derventa aktualisht është në rënie të lehtë. Masat emergjente të mbrojtjes nga përmbytjet janë ende në fuqi në qytet. Gjendje më e rënduar raportohet në pjesët veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku janë mbyllur disa rrugë kryesore.
Orët e mësimit janë pezulluar në shumicën e shkollave ku ka problematika. Në fund të vitit të kaluar, Bosnja u përball me vërshime vdekjeprurëse dhe 27 njerëz humbën jetën nga përmbytjet e rrëshqitjet e dheut më 4 tetor 2024. Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme goditën pjesë të Bosnjës jugore e qendrore, duke shkatërruar shtëpi, rrugë e duke ndërprerë energjinë elektrike, si dhe bllokuar aksesin në disa fshatra.