1 javë pas nisjes së konfliktit në Lindjes e Mesme dhe shtrenjtimit të naftës edhe në vendin tonë, qeveria pritet të zhvillojë një takim me operatorët e tregut të karburanteve ditën e hënë.
Për të dytën herë radhazi çmimi i naftës në Shqipëri, vetëm brenda pak ditësh, ka ndryshuar sërish. Pikat e tregtimit me pakicë, kryesisht në kryeqytet, ndryshuan vlerat në tabelat e tyre të shitjes këtë të premte, duke i vendosur një çmim të ri të naftës me një maksimale që varion nga 182 deri në 184 lekë për litër nga 175-179 lekë që tregtohej ditët e mëparshme.
Kjo rritje e çmimit sipas operatorëve në treg vjen pas rritjes së mëtejshme të çmimeve të naftës në bursë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Konkretisht 1 fuçi naftë bruto në bursë ka arritur në 91 dollarë. Rritja më e lartë që prej fillimit të konfliktit teksa më parë tregtohej edhe në vlerat e 70 dollarëve për fuçi.
Edhe të dhënat e doganave tregojë se çmimi i naftës së importuar me referencë çmimet e bursës PLATTS është rritur nga 888 dollarë për ton në 2 mars në 1112 dollarë për ton, në datën 5 mars.
Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të mbetet i lartë edhe sepse në 1 litër rëndojnë 4 taksa, si akciza, taksa e karbonit dhe qarkullimit si dhe tvsh-ja 20%, duke arritur një çmim nga 100-110 lekë/litër vetëm nga taksat.