Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin e koduar “Seria”, duke vënë në pranga autorin e disa vjedhjeve të ndodhura gjatë muajve të fundit në zonën e Kavajës dhe fshatin Synej. I arrestuari është shtetasi K.H., 33 vjeç, banues në Kavajë, i cili dyshohet se gjatë periudhës 6 mujore gusht 2024 – shkurt 2025 ka kryer vjedhje në të paktën tre banesa, ku ka marrë pajisje dhe sende me vlerë.
Policia e identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar pas një pune të detajuar hetimore, duke përdorur edhe veshjet e tij të përdorura gjatë vjedhjeve si provë materiale.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët zbuluan edhe një sasi lënde narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, çka i rëndon më tej pozitën ligjore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sendet e vjedhura, veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve dhe droga e gjetur në banesë.