Sport

Napoli, trajneri Conte: Kemi ende diçka të madhe për të arritur, duam titullin/ Trajneri i Parmës: Jemi gati, japim shpirtin në fushë!

Tekniku i Napolit, Conte dha opinionin e tij para ndeshjes ndaj Parmës:

“Na kërkuan të përgatisnim një tortë dhe ne e kemi bërë e prezantuar. Tani mungon vetëm qershia,” deklaroi Conte, duke theksuar se “po luajmë për një objektiv që nuk ishte i parashikueshëm” dhe se “ndiej një përgjegjësi shumë të madhe”.

Sa i përket formacionit dhe gjendjes së lojtarëve: “McTominay ka pasur disa problemet e veta, si edhe të tjerë, por ne gjithmonë do të gjejmë zgjidhjen.” Ndërsa për David Neres, trajneri theksoi se ka rikuperuar pjesërisht, por “nuk mund të luajë nga minuta e parë”.

Për kundërshtarin: “Parma po lufton për mbijetesë, do të luajë me thonj e dhëmbë. Është një skuadër që do të japë gjithçka për të marrë rezultat.”

Conte foli edhe për rëndësinë emocionale të momentit: “Vetëm kush nuk ka luajtur kurrë për asgjë mund të mendojë se nuk ka përfshirje emocionale. Këto janë presione që i kemi fituar me meritë.”

Duke iu referuar barazimit zhgënjyes me Genoa-n: “Na ka mërzitur shumë. Ishte një ndeshje e dominuar nga ne dhe që meritonim të fitonim. Por tani e rëndësishme është vetëm Parma.”

Mbi emocionet dhe rëndësinë e këtij sezoni: “Dy vite më parë Napoli nuk fitonte prej 30 vitesh. Të fitosh këtu do të thotë të mbetesh në histori. Kemi rikthyer entuziazmin, kemi mbushur stadiumin, kemi kthyer Napolin në Champions. Tani duhet të vendosim qershinë mbi tortë.”

Së fundi, për përballjen indirekte me Interin: “Do të informohemi gjatë ndeshjes për rezultatin e tyre, por nuk duhet të spekulojmë. Ne duhet të mendojmë për veten dhe të japim maksimumin.”

Conte mbylli fjalën me një mesazh kuptimplotë: “Duhet të kemi ambicien të mbetemi në kujtesën e Napolit. Kemi bërë shumë, por kemi ende diçka të madhe për të arritur.”

Trajneri i Parmës, Christian Chivu dha mendimin e tij para ndeshjes ndaj Napolit.

“Napoli po luan për titullin, por edhe ne po luajmë për diçka të rëndësishme. Do të jetë një ndeshje e vështirë si për ta, ashtu edhe për ne. Duhet të dimë të menaxhojmë energjitë fizike dhe mendore. Nuk kemi probleme, kemi zgjidhje. Kjo ka qenë gjithmonë filozofia jonë. Ankesat janë vetëm humbje kohe. Napoli është i drejtuar nga një trajner fitues. Ne duhet të jemi gati, të dimë të shfrytëzojmë momentet dhe hapësirat që na jepen”.

Më tej, ai shtoi: “Gjithmonë hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin. Kërkohet kurajë, vetëbesim dhe sakrificë, gjëra që skuadra i ka treguar në disa momente gjatë sezonit”.

Në lidhje me përgatitjet:  “Kemi pasur një javë normale, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Futbolli është i pabesë ndonjëherë, por besoj se puna paguhet”.

Së fundmi, një mesazh për tifozët në Tardini: “Shpresojmë t’u japim një gëzim të fundit në shtëpi. Faleminderit për mbështetjen gjatë gjithë sezonit”.