Vendimi vjen si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit, që kanë detyruar agjencinë hapësinore amerikane të shtyjë provën e fundit madhore të raketës SLS.
Sipas njoftimit zyrtar, dritarja e parë e mundshme e nisjes do të hapet të dielën, më 8 shkurt, në vend të 6 shkurtit, siç ishte planifikuar fillimisht. Kjo datë përkon gjithashtu me Super Bowl-in, një nga ngjarjet më të ndjekura sportive në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, ende nuk është e sigurt nëse NASA do të tentojë lëshimin atë ditë. Testi final teknik i raketës, një provë vendimtare që shërben si “gjeneralja” para misionit, nuk është përfunduar ende.
Për shkak të temperaturave shumë të ulëta që kanë përfshirë pjesën më të madhe të SHBA-së, ky test është shtyrë për javën e ardhshme.
Në varësi të rezultateve të testit, NASA do të konfirmojë datën përfundimtare të nisjes së Artemis 2, mision që do të përfshijë tre astronautë amerikanë dhe një astronaut kanadez.
Nga 8 shkurti deri më 30 prill, agjencia po shqyrton gjithsej 14 dritare të mundshme nisjeje për këtë mision historik. Gjatë së njëjtës periudhë, NASA ka planifikuar edhe misionin Crew-12 drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, i cili aktualisht është caktuar për 11 shkurt.
Një zyrtar i NASA-s bëri të ditur se Crew-12 mund të shtyhet nëse Artemis 2 niset përpara kësaj date, duke theksuar se prioritet mbetet siguria dhe përgatitja teknike e plotë e çdo misioni.