Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Enver Petrovcit i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 71-vjeçare.
Rama shprehu keqardhjen për largimin e parakohshëm të aktorit nga jeta , dhe e cilësoi si një aktor të jashtëzakonshëm dhe një njeri të dashur.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Enver Petrovci në moshën 71-vjeçare.
Kurti u shpreh se Petrovci me rolet e tij të paharrueshme dhe me profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin e Kosovës dhe filmin në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
Sipas kryeministrit Kurti Kosova humbi një thesar, por trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë edhe tek institucionet dhe komunitetin e artistëve që do ta ruajnë dhe përcjellin brez pas brezi.
Enver Petrovci lindi më 28 shkurt të vitit 1954 në Prishtinë ku edhe fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në degën e Aktrimit. Më pas mbaroi studimet universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit, në kryeqytetin e Serbisë.
Ndër të tjera është vlerësuar për një karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212”. Me rolet e interpretuara u bë i njohur në mbarë hapësirën e Jugosllavisë, duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe, para shpërbërjes së federatës.
Me mbarimin e luftës në Kosovë, Enver Petrovci e vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Interpretimet e tij në film janë gjithashtu shumë të duartrokitura e të ndjekura, me famë në kinematografinë ish-jugosllave, shqiptare e ndërkombëtare.
Petrovci ishte njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Univerisitetin e Prishtinës. Në vitin 1989 u kthye nga Beogradi për të dhënë lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja aktorësh në Kosovë.