Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi sot se Qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara, por nguli këmbë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur. Kurti u shpreh se këto dallime mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.
Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane.
Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara morën një goditje javën e kaluar, kur më 12 shtator, Uashingtoni njoftoi se e pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada deklaroi se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite.
Nuk u shpjegua se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht. Në lidhje me këtë vendim të SHBA-ve, Albin Kurti tha se dëshiron të sqarojë se “bëhet fjalë për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik dhe jo të dialogut strategjik si proces të nisur”.
Nuk bëhet fjalë as për ndërprerje të komunikimit të rregullt të qe kemi.
Javën e kaluar, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës i duhet një partner në Kosovë, i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kurti nguli këmbë se teksa “nganjëherë” ka papajtueshmëri me Qeverinë amerikane për çështje operacionale dhe taktike, “ne pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime”.