Momentalisht është ndalur në 40 numri i viktimave të tërmetit 6.4 të shkallës Rihter që shkundi vendin mëngjesin e 26 Nëntorit. Në Thumanë, nuk ka më njerëz nën rrënoja, ndaj operacionet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë, por vazhdojnë intensivisht në Durrës. Në qytetin bregetar që ishte dhe epiqendër e lëkundjes me pasoja tragjike, ekipet e emergjencës vijojnë të kërkojnë në zonën e Kënetës, ku ende rezultojnë të humbur 5 vetë, pjesëtarë të familjes Lala, vila e të cilëve u shemb plotësisht. Kërkime ka dhe në gërmadhat e Hotel Mira-Mares në zonën e Plazhit të Durrësit. Mbi 650 janë të lënduarit. Ndërkaq, vazhdon aktiviteti sizmik me një numër të lartë pasgoditjesh. Në Durrës ku toka rezulton të jetë ngritur me 10 cm, ka thyerje tektonike.