Aktori George Wendt, i njohur më së miri për rolin e tij si Norm në serialin “Cheers”, ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare. Vdekja e tij u konfirmua nga zëdhënësi i tij në një deklaratë zyrtare. “George ishte një njeri i kujdesshëm familjar, një mik i dashur dhe një person i besuar për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Ai do të na mungojë përgjithmonë. Familja kërkon privatësi në këtë kohë”-thuhej në deklaratë. Wendt luajti në serialin “Cheers” nga viti 1982 deri në vitin 1993, duke u shfaqur në të gjitha 275 episodet. Ai mori gjashtë nominime për çmimin ‘Emmy’ për rolin e tij.

Më vonë ai e riinterpretoi personazhin e Norm në shumë seriale, duke përfshirë “Frasier”, “Wings”, “The Simpsons”, “Family Guy” dhe “The Tortellis”. Ai u shfaq edhe në seriale të tjera, duke përfshirë “Sabrina the Teenage Witch”, “Columbo”, “Portlandia” dhe “The Goldbergs”. U shfaq së fundmi po ashtu në “Masked Singer” dhe në komedinë e Krishtlindjeve të vitit 2022 “Christmas with the Campbells”. U ribashkua gjithashtu me anëtarët e kastit të “Cheers” në Çmimet Emmy 2024.