Bota e muzikës është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Lauren Bennett, këngëtares britanike që u bë e famshme në mbarë botën me interpretimin në superhitin “Party Rock Anthem” të LMFAO dhe më vonë si anëtare e grupit GRL.
Artistja ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare. Sipas të dhënave të publikuara nga mjeku ligjor në Kent të Anglisë, Bennett ndërroi jetë më 29 maj, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.
Lajmi u konfirmua nga ish-anëtaret e grupit GRL, të cilat ndanë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e mikeshës dhe koleges së tyre.
Me hidhërim të madh ndajmë ndarjen nga jeta të Lauren tonë të dashur. Zemrat tona janë të thyera dhe nuk mund ta shprehim me fjalë sa shumë do të na mungojë.
Do ta kujtojmë gjithmonë për dashurinë, të qeshurat dhe kujtimet që na dhuroi. Pusho në paqe, Lauren
-thuhet në dedikimin emocional.
Lauren Bennett u bë e njohur ndërkombëtarisht në vitin 2011, kur zëri i saj u dëgjua në “Party Rock Anthem”, një prej këngëve më të suksesshme të dekadës, që dominoi klasifikimet muzikore në mbarë botën.
Më vonë ajo iu bashkua grupit të vajzave GRL, me të cilin publikoi këngë të njohura si “Ugly Heart” dhe “Wild Wild Love”, kjo e fundit në bashkëpunim me reperin Pitbull.
Përveç karrierës muzikore, Bennett ishte edhe nënë. Ajo lë pas vajzën e saj gjashtëvjeçare, Harlow, të cilën e kishte me balerinin dhe aktorin Kenny Wormald.
Vdekja e saj rikthen kujtimet e një tjetër tragjedie që goditi GRL më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2014, grupi humbi një tjetër anëtare, Simone Battle, e cila ndërroi jetë në moshën vetëm 25-vjeçare.
Humbja e Lauren Bennett shënon një tjetër kapitull të dhimbshëm për grupin, ndërsa fansat dhe kolegët nga industria muzikore kanë nisur t’i japin lamtumirën artistes me mesazhe prekëse, duke kujtuar talentin, buzëqeshjen dhe energjinë që ajo solli në skenë.