Aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës vazhdoi edhe këtë fundjavë në disa zona të cilësuara “problematike” për shkak të dendësisë së popullsisë dhe ndërtimeve pa kriter.
Në njësinë nr. 14, në atë që njihet si “zona e Astirit”, forca të shumta të Policisë Bashkiake u panë sot duke mbështetur inspektorët e IMT-së në rrethimin dhe bllokimin e një pallati pothuajse të përfunduar.
Plot 4 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi pa leje e në shkelje të lejes urbanistike, u bllokuan dhe ka nisur aksioni për shembjen e objektit. Raportohet se pallati ishte në shkelje flagrante të rregullave ndërtimore.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, i cili drejtoi aksionin, deklaroi se “paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë” dhe se “ndërhyrjet nuk do të ndalen”. Ai u bëri thirrje sipërmarrësve që të respektojnë rregullat, për të shmangur penalizimet, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përfshihen në “listën e zezë” të bashkisë.