Aktualitet

Ndryshon bilanci i viktimave të tërmetit, deri tani 15 persona kanë humbur jetën

Ndryshon moment pas momenti bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.3 ballë i shkallës Rihter dhe epiqendër pranë Durrësit që në orën 03:54 minuta të mëngjesit shkundi vendin. Zyrtarisht raportohen 15 viktima në Durrës, Thumanë e në Kurbin. Vëmendja është përqëndruar në Durrës e Thumanë ku vijojnë intensivisht operacionet e kërkim shpëtimit në rrënojat e pallateve e të tjera ndërtesave të shembura. Autoritetet apelojnë që banorët të shmangin objektet e dëmtuara pasi kanë rrezik shembjeje.

Ndërkaq në një zhvillim të fundit, një lajm i mirë vjen nga zona e ish Kënetës në Durrës. Është arritur të nxirret i gjallë 17 vjeçari Ramë Lala i cili ndodhej nën rrënojat e vilës së shembur 6 orë pas tërmetit të fuqishëm të orës 3:55 minuta. Adoleshenti u dërgua për mjekim të specializuar në spitalin e Durrësit. Për fat të keq 3 anëtarë të familjes Lala u nxorën të pajetë, ndërsa raportohet se 4 të tjerë janë akoma nën gërmadha dhe po punohet edhe me duar për t’i nxjerrë të gjallë.