Bota

Në Arabinë Saudite ka bisedime paqe për Sudanin, por në vendin afrikan vijojnë luftimet e ashpra!

Në Sudan po vazhdojnë luftimet dhe për sot, banorët e kryeqytetit, Kartum, raportuan shpërthime të fuqishme. Përplasjet nuk ndalen edhe pse gjeneralët që janë në epiqendër të konfliktit dërguan në Arabinë Saudite përfaqësuesit e tyre për bisedimet e paqes.

“Jemi zgjuar me shpërthime dhe sulme me artileri të rëndë”, tha për AFP-në një banor i Omdurmanit, që gjendet shumë pranë Kartumit. Gjatë natës, dy shpërthime të fuqishme goditën kryeqytetin sudanez, Kartum.

Që nga 15 prilli, në Sudan po luftojnë ushtria e udhëhequr nga komandanti, Abdel Fattah al-Buhran dhe trupat e një formacioni paramilitar, të drejtuar nga komandanti Mohamed Hamdan Daglo. Dy gjeneralët që ndeshen për pushtetin në Sudan, të shtunën dërguan në Arabinë Saudite negociatorët e tyre. Bisedimet që po ndërmjetësohen nga Shtetet e Bashkuara dhe sauditët, po cilësohen si “diskutime para negociatave”.

Ende nuk ka ndonjë njoftim nëse është arritur përparim në bisedimet që po mbahen në qytetin saudit Xhadah. Më herët këtë javë, një diplomat saudit e pranoi se një marrëveshje afatgjatë e armëpushimit nuk është pjesë e diskutimeve dhe se të dy palët “besojnë se janë në gjendje të fitojnë betejën”.

Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Ndihmën, Martin Griffiths u largua nga Xhedahu pasi propozoi “Deklaratën e zotimeve për të dyja palët, për të garantuar një rrugë të sigurt për dërgimin e ndihmës humanitare”. Më shumë se 750 persona janë vrarë që nga nisja e luftimeve më 15 prill, shumica e tyre civilë.

Pothuajse 150 mijë persona janë larguar në shtetet fqinje, ndërsa 700 mijë banorë u zhvendosën brenda Sudanit. Që nga grusht-shteti i vitit 2021, Sudani drejtohet nga Këshilli i Gjeneralëve me në krye dy ushtarakët që luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan e gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo. Ata kanë mospajtime lidhur me mënyrën si shteti duhet të shkojë drejt pushtetit civil. Mosmarrëveshjet kryesore në planin për tranzicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100 mijë anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.