Aktualitet

Në kërkim ndërkombëtar, ekstradohet nga Italia anëtari i bandës së Suel Çelës!

Ekstradohet nga Milano në Itali, anëtari i bandës së Suel Çelës. Bëhet fjalë për shtetasin Bujar Shega, i njohur ndryshe si ‘truri financiar’ i bandës. Ai akuzohet nga Gjykata e Posaçme, GJKKO për trafik droge dhe pastrim parash në kudër të grupit të strukturuar kriminal. Ndaj 52-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Njoftimi:

Ekstradohet nga Milano, një 52-vjeçar i akuzuar nga GjKKO, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Itali, M. Sh. alias Bujar Shega, 52 vjeç, i lindur në Elbasan.

Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.