Eshtë finalizuar ekstradimi nga Kroacia drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar me iniciale, A.Ll., 51 vjeç, i lindur në Lezhë dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kroate, bëri të mundur ekstradimin e këtij shtetasi, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës kishte caktuar në vitin 2023 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet rezulton se A. Ll. dyshohet të ketë qenë i përfshirë në një rast të transportimit të një sasie të lëndës narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, ngjarje e ndodhur në vitin 2023 dhe goditur nga Policia pranë mbikalimit të Rrëshenit.
Autoritetet shqiptare vijojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për identifikimin, kapjen dhe sjelljen para drejtësisë të shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale.