Të dyshuar për furnizim dhe shpërndarje të drogave të forta, dy persona ranë në prangat e bluve të Tiranës. Policia e kryeqytetit njofton se ka intensifikuar kontrollet dhe goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke finalizuar fazën e tretë të operacionit të koduar “Zonat”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit G.M., 51 vjeç, banues në Tiranë dhe Zh.P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër,
Sipas Policisë, pas informacioneve operative dhe hetimeve të organizuara, automjeti me të cilin lëviznin të dy personat u ndalua në rrugën “Prokop Mima” në Tiranë. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan 1 kg e 71 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Hetimet paraprake dyshojnë se lënda narkotike do të ndahej në doza dhe do të shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tiranën e Re.
Ndërkohë, në fazat e mëparshme të operacionit “Zonat” janë sekuestruar edhe mbi 1 kg kokainë dhe janë arrestuar dy persona të tjerë. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Heroina me origjinë nga Turqia, kap vlerën e mbi 50 mijë eurove.