Aktualitet

Kanabis nga Amerika, tre në pranga në Tiranë!

Policia e Tiranës ka finalizuar dy operacione kundër trafikimit nga SHBA të kanabisit me përqindje të lartë THC, me qëllim shitjen në Tiranë, ndërsa në pranga janë vënë tre shtetas.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur për disa muaj, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, u finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas, Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, operacionet policore antidrogë, të koduara “Pako 1” dhe “Pako 2””.

“Gjatë operacionit “Pako 1”, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 24 vjeç dhe A. Xh., 55 vjeç, duke marrë në një degë postare në Tiranë, një pako me rreth 522 gramë cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi B. F., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë “gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 19 vjeç, duke marrë në një degë postare në Shkodër, një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi G. P., 23 vjeç, i cili u shpall në kërkim”.

Policia njoftoi se vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.