Kopshti zoologjik i Blackpool po kërkon që t’i mbajë pulëbardhat e uritura larg nga zonat e ngrënies për vizitorët dhe për ta bërë këtë atyre u duhet ndihmë. Në fakt ky kopsht zoologjik është duke kërkuar për një ekip të “frikësuesve të pulëbardhave” që do t’i bashkohet ekipit të shërbimeve të kopshtit, si pjesë e përpjekjeve për t’i mbajtur larg pulëbardhat nga ushqimi i vizitorëve.
Ata që aplikojnë për këtë vend pune do të duhet që të demonstrojnë një numër specifik të detyrave të kërkuara. Sipas njoftimit zyrtar të kërkesës për punëtorë, të listuar në faqen e internetit të Blackpool Zoo, stafi thotë:
Në kopshtin zoologjik të Blackpool është e vetëkuptueshme që ne i duam të gjitha kafshët. Si një resort bregdetar, Blackpool nuk ka mungesë të pulëbardhave. Megjithatë, pulëbardhat po rezultojnë të jenë pak të bezdisshme kur bëhet fjalë për përpjekjet për të vjedhur ushqim nga vizitorët tanë. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për t’i mbajtur pulëbardhat larg zonave tona kryesore të ngrënies, prandaj ne po kërkojmë një ekip që t’i bashkohen ekipit tonë të Shërbimeve të Vizitorëve si ‘Frikësues Pulëbardhash’.
Sipas përshkrimit të punës, kandidatët e suksesshëm do të duhet të jenë të fokusuar tek vizitorët, miqësorë, energjikë dhe fleksibël. Natyrisht, ata gjithashtu do të duhet të jenë goxha të shoqërueshëm.