Aktualitet

Në lokal me armë zjarri, municione e drogë, 3 në pranga në Shkodër!

Policia e Shkodrës arrestoi në flagrancë tre persona, iu gjeti një pistoletë, municion luftarak dhe një dozë kokaine, gjatë qëndrimit në një lokal.

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “SIGURIA”.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar ” SIGURIA”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër;

A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër;

I. A., 18 vjeç, banues në Londër.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dhe një doze të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.

Gjithashtu, në momentin e kontrollit, së bashku me shtetasin E. K. ndodheshin shtetasit A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale iu  referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.