Aktualitet

Vrau gruan me armë gjahu, Gjykata e Shkodrës lë në burg 64-vjeçarin!

Gjykata e Shkodrës la në qeli 64-vjeçarin, Shtjefën Ziçi, i dyshuar se vrau me armë gjahu bashkëshorten  55-vjeçe. Ziçi nuk foli para trupit gjykues, ndërsa avokati i tij kërkoi ekspertimin psikik të klientit.

Krimi ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi Bardhe Ziçin në pragun e shtëpisë.

Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Grupi hetimor ka dyshime se gjithçka ndodhi për motive xhelozie.

Sipas hetimeve, burri i kërkoi gruas telefonin celular, çka solli debat mes tyre. Pak çaste më vonë, hyri në banesë, mori çiften që e posedonte me leje dhe qëlloi dy herë në drejtim të 55-vjeçares, duke i shkaktuar vdekjen.