Aktualitet

Shkodër, sekuestrohen 4 armë dhe sasi e konsiderueshme municioni!

Policia e Shkodrës finalizoi operacionin e koduar “Kalibri”, në kuadër të të cilit u arrestua një 21-vjeçar, pasi në banesë iu gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Në pranga u vu shtetasi Roberto Malocaj, banues në fshatin Trush. Në shtëpi, shërbimet e Policisë i sekuestruan një automatik, një pushkë e dy armë gjahu, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.

Pasi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.

Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Kalibri”.

Sekuestrohen 4 armë dhe sasi e konsiderueshme municioni.

Vihet në pranga 21-vjeçari që mbante sendet e kundërligjshme, në banesën e tij, në fshatin Trush.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar gjatë punës operative dhe operacionale, kryer me fokus parandalimin e paligjshmërive, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi R.M., 21 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Trush, u gjetën sasi e konsiderueshme municioni dhe 4 armë (1 automatik, 1 pushkë dhe 2 armë gjahu), të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim të mëtejshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.