Gjatë paraqitjes në “Good Morning America”, Angelina Jolie, ndër të tjera ka folur për fëmijët e saj dhe ka treguar se cili prej tyre e vlerëson më shumë privatësinë. “Asnjë nga fëmijët e mi nuk dëshirojnë të jenë para kamerës tani. Ata janë mjaft privatë. Shiloh është një person jashtëzakonisht privat. Ata nuk kanë lindur me privatësi, apo jo? Shpresoj që ta kenë atë ndërsa rriten. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të jetë i famshëm apo të veprojë në mënyrë profesionale.”-tha aktorja.
Megjithatë, Maddox dhe Pax punuan me të në xhirimet e filmit të saj të ri “Maria”. “Djemtë e mi ishin në xhirime. Ishte e mrekullueshme. Të gjithë fëmijët e mi ‘vuajtën’ kur fillova të këndoja opera nëpër shtëpi, gjë që ishte një makth. M’u desh kohë për t’u përmirësuar”-tha ylli i famshëm ndër tjerash. Kujtojmë se William dhe Jane Pitt, prindërit e Brad Pitt, kanë frikë se mund të mos i shohin më kurrë nipërit e tyre.
“Para divorcit, ata ishin pjesë e jetës së fëmijëve dhe kalonin shumë kohë së bashku. Është e trishtueshme të shohësh që nuk është më kështu. Është një gjë që fëmijët nuk e shohin babanë e tyre, por gjëja e trishtueshme për Jane dhe Will është se ata nuk kanë asnjë kontakt me nipërit e tyre të dashur”-tha një burim për Daily Mail. Angelina dhe Brad kanë gjashtë fëmijë. Vivienne, Zahara dhe Shiloh hoqën dorë nga mbiemri i babait të tyre. Divorci i dyshes së njohur i cili ka vazhduar për më shumë se tetë vjet, ende nuk ka përfunduar dhe përfshin dy çështje të rëndësishme: pronësinë e Château Miraval në Francë dhe kujdestarinë e fëmijëve.
Rikujtojmë se Jolie do të jetë pjesë në një tjetër projekt të ri filmik. Aktorja fituese e Oscarit do të luajë në një film për botën e modës së lartë në Evropë. Filmi francez, i titulluar Stitches, është me regji të Alice Winocour dhe do të xhirohet në frëngjisht dhe anglisht. Jolie luan rolin e një regjisoreje, një nga tre gratë, jeta e të cilave do të ndërpritet gjatë Javës së Modës. Ky rol përputhet në mënyrë të përkryer me interesin e aktores për modën, pasi ajo mbështet bizneset e dizajnit përmes iniciativës së saj Atelier Jolie.