Rajoni

Nesër takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, i dërguari europian Lajçak takon kryeministrin e Kosovës!

Nesër në Bruksel zhvillohet takimi i radhës i nivelit të lartë Kosovë-Serbi. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në tryezën e bisedimeve do të ulen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksander Vuçiç. I dërguari europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi se paraprakisht takoi Albin Kurtin për detajet e bisedimeve të 2 majit në kryeqendrën europiane. Takimi u zhvillua në Greqi. Në një postim në Facebook shkruan:

U takova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për t’u përgatitur në detaje lidhur me takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm.

Po ashtu, Lajçak tha se javën e kaluar e mbylli me ndalesa në vende, për të cilat Ballkani Perëndimor është në krye të axhendës.

Në Vjenë fola për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, si dhe ndikimin e tij në rajonin e gjerë. Këtë e bëra gjatë një paneli diskutimi në Universitetin Webster. Në Bruksel, pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta në Parlamentin Europian me socialdemokratët, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë e ndërveprojnë me Ballkanin.

E mbylla javën time me diell në Greqi, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik vjetor Delphi në qytetin antik të Delphit. Greqia, si një fqinj i drejtpërdrejtë i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin, ndaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes europiane të rajonit. Ky ishte dhe fokusi i panelit tim këtë vit.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, BE, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës e Serbisë, Kurti e Vuçiç në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit. Gjithashtu do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës.