Aktualitet

Përmbyllet faza e parë, 1200 autorë do të hartojnë Enciklopedinë Shqiptare

Faza e parë për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare është përmbyllur, pasi grupi i punës ka arritur njehsimin e kritereve dhe parimeve, duke u dakordësuar për përmbajtjen dhe hierarkinë që do të kenë artikujt e përfshirë.

Rreth 1200 autorët do të punojnë të gjithë së bashku me të njëjtat terma me të njëjtin status që është vendosur për njësitë enciklopedike. Gjithsej, thotë akademiku Shaban Sinani, janë 27 redaksi, sipas ndarjes klasike të dijeve, shoqërore dhe shkencore.

“Kemi krijuar struktura të posaçme me karakter enciklopedik. Mjedisi është ngritur si redaksi për herë të parë, ngulimet historike dhe kulturore jashtë vendit janë ngritur si redaksi. Edhe religjionet janë ngritur për herë të parë”, shprehet Shaban Sinani.

Duke analizuar ndryshimet në diskursin enciklopedik, janë vendos rregulla të reja, që prekin edhe fusha të patrajtuara më parë në enciklopeditë shqiptare.

“Edhe në Kongresin e Drejtshkrimit, ka pasur disa ligjërime që nuk morën dot status. Sot, ligjiërimi më pak I bukur është ai i noterëve sepse ne 1972 nuk ekzistonin dhe ata që morën vendimet, nuk e kishin për detyrë të shpreheshin për këto ligjërime. Po ashtu ligjërimi liturgjik, që nuk përdorej. As pasuria e Kosovës nuk është trajtuar”, shton ai.

Sipas autorëve, enciklopedia e re do të jetë gjithëpërfshirëse, me redaksi të dedikuara për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ende nuk është në proporcion trashëgimia shqiptare në Shqipëri me trashëgiminë shqiptare në Kosovë”, theksoi Shabani.

Enciklopedia Shqiptar, projekti i tretë madhor, pas fjalorit dhe historisë së Shqipërisë, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, protet të dalë për botohet brenda vitit 2027.