Sport

Nga spitali Christian Eriksen jep një mesazh për të gjithë ata që e mbështetën!

Mesfushori danez, Christian Eriksen, mbrëmjen e të shtunës na mbajti nën ankth për shumë minuta. Atë natë, ai u dërgua me urgjencë në spital pasi pësoi arrest kardiak dhe u gjend i shtrirë në fushë pa ndjenja gjatë ndeshjes së “Euro 2020”, Danimarkë-Finlandë. Pas kësaj situate aspak të zakontë, erdhi reagimi edhe nga mjeku i kombëtares daneze, Mortes Boesen si dhe nga trajneri Hjulmand i cili gjithashtu foli në konferencën për shtyp dhe rrëfeu një prapaskenë të rëndësishme.

Por, kemi lajme të mira! Tre ditë pas problemit të zemrës që rrezikoi t’i kushtonte jetën, mesfushori danez u shfaq i qeshur nga shtrati i spitalit ku është i shtruar dhe ka dashur të japë një mesazh përmes kanaleve sociale të Federatës së futbollit të vendit të tij.

Përshëndetje të gjithëve. Faleminderit për mbështetjen tuaj të ngrohtë dhe të pabesueshme si dhe për mesazhet nga e gjithë bota. Kjo ka nënkuptuar shumë për mua dhe familjen time. Unë jam mirë duke marrë parasysh rrethanat. Duhet ende t’i nënshtrohem testeve në spital, por ndihem mirë. Tani dua të mbështes djemtë e Danimarkës në ndeshjet e ardhshme. Luani për të gjithë danezët. Përshëndetje. Christian.

Rikujtojmë, se të gjithë u shokuan nga arresti kardiak që pësoi Christian Eriksen në fushën e lojës. Por gruaja e tij Sabrina Kvist, e cila ishte e pranishme në stadium duke ndjekur Danimarkën, e vuajti më shumë.