Aktualitet

Nis më herët sezoni turistik në Durrës, shumë vizitorë nga perëndimi…

Durrësi vazhdon të mirëpresë turistë nga vende të ndryshme të botës të cilët zgjedhin këtë qytet për historinë, arkitekturën dhe natyrën e tij unike.

“Qyteti na pëlqen shumë. Amfiteatri është spektakolar dhe uroj të zbulohet i gjithi sepse ia vlen. Edhe Torra Veneciane më pëlqen shumë. Kaq kam parë deri tani se sot erdhëm.”

“Jemi nga Gjermania dhe vijmë për herë të parë në Shqipëri e Durrës. Jemi para sezonit dhe vend i këndshëm, veçanërisht objektet antike dhe arkitektura e vjetër urbane. Bukur të jesh këtu e ta shohësh.”

Qyteti nuk tërheq vetëm për plazhet dhe klimën e tij të butë, por edhe për thesaret e historisë që fsheh në çdo cep të tij. Por përveç saj, rrugicave të vjetra dhe arkitekturës italiane, turistët zgjedhin edhe natyrën e paprekur nga urbanizimi dhe Kepi i Rodonit është një nga pikat më të preferuara për vizitorët.

“Jemi nga Polonia dhe erdhëm për weekend. Vizituam Kepin e Rodonit dhe tani Durrësin. I magjepsur nga natyra e Kepit të Rodonit. Bukuri e egër.”

“Peisazhet dhe udhëtimi i djeshëm në Kep ishin fantastike. Natyra, deti, gjithçka.”

“Jemi nga Britania e Madhe dhe sapo kemi mbërritur e duam të njihemi me qytetin e gjithçka tjetër. Është dita e parë këtu dhe duket bukur.”

Nga rrënojat e lashta te peizazhet e mrekullueshme natyrore, apo perëndimet mbi Adriatik, Durrësi dhe destinacionet përreth tij vazhdojnë të jenë një atraksion i veçantë për turistët.