Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se sot ka nisur shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët. Sipas Gonxhes, deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19 mijë e 566 bonuse, nga të cilët 13 mijë e 712 janë në vlerë 15 mijë lekë për pensionet nën 20 mijë lekë, invalidët e pensionet familjare, si dhe 5 mijë e 854 bonuse 10 mijë lekëshe për pensionet mbi 20 mijë.
Bonusi mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare ose banka të nivelit të dytë deri më 30 qershor 2025. Nga ky vendim përfitojnë 724 mijë 933 pensionistë.
Më herët, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë do të krijohet një fond pranë Bankës së Shqipërisë që në dhjetor, për një bonus të dytë për pensionistët, duke e quajtur “Bonusi i ri i pranverës”. Njëkohësisht, qeveria ka nisur një bashkëbisedimin me pensionistët mbi planin e ri të pensioneve dhe angazhimin e qeverisë për të përfshirë pensionistët në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit.