Aktualitet Politikë

Rama: Deri tani nuk janë vënë re abuzime me naftën!

Rritja e çmimit të naftës nga lufta në Lindjen e Mesme, në podcast-in e përjavshëm “Flasim”, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje ngritjen e një Task Force në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave, që të shtohet kontrolli e të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Rama tha se “nuk janë vënë re abuzime” dhe se “monitorimi vazhdon”.

Shefi i qeverisë përsëriti se është marrë një tjetër vendim për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende të tjera në akcizën e naftës, duke e ulur me rreth 20%. Teksa e vuri theksin te mbrojtja e pensionistëve, Rama tha se të ardhurat nga rritja e çmimit do të shkojnë për ta.

Është një temë që kërkon vëmendje dhe ka vëmendjen tonë të vazhdueshme, orë pas ore e siç e kemi thënë, kemi ndërmarrë hapa konkretë, është ngritur një Task Force në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave, me qëllim që të rritet kontrolli e të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg.

Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e Bordit të Transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.

Në të njëjtën kohë është marrë edhe një vendim tjetër, për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende të tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %, në mënyrë që të lehtësohet, si të thuash, disi barra mbi përdoruesit e automjeteve.

Por, ndërkohë, dua ta them shumë, shumë qartë, që në fund të ditës, ajo që neve na intereson e para, është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilido qoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët.