Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nisën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite. Pala amerikane tha se ky takim nuk ka të bëjë me nisjen e negociatave, por për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë. Ajo ruse u shpreh se prioritet do të ketë normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-të.
Delegacioni amerikan përbëhet prej sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarit të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Wikoff. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar i presidentit Putin për Politikën e Jashtme, përfaqësojnë Rusinë.
Bisedimet në Riad zhvillohen pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Europë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim dhënien fund të luftës.
Ky synohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, por gjërat po lëvizin shpejt, u shpreh Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik, i cili aktualisht është studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, “ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të çohet para, në këto kohë paqartësish”. Bisedimet mes dy vendeve janë të parat e nivelit të lartë në vitet e fundit dhe kanë për synim hapjen e rrugës për një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump e presidentit rus, Vladimir Putin.
Në delegacionin amerikan nuk përfshihet gjenerali në pension, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, nëse Kievi nuk është i pranishëm në tryezën e negociatave.
Zelensky, i cili aktualisht është në një vizitë në Lindjen e Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë ka konfirmuar se Kellogg do të shkojë në Kiev më 20 shkurt, për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”.