Në të gjitha shkollat e vendit nis viti i ri mësimor për 345 mijë nxënës, nga të cilët 26 mijë e 500 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ky vit vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore. Kanë hapur dyert 30 shkolla të reja, nga veriu në jug.
Për këtë vit shkollor, MAS ka shpërndarë libra falas për 236 mijë nxënës në mbarë vendin. Janë rreth 9 milion euro, që u vunë në dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollor falas nga klasa e parë në klasë të 9-të e gjithashtu për 16 kategori nxënësish, në gjimnaze.
Sipas MAS-it janë më shumë se 340 laboratorë smart ku do të shtrihet kurrikula e teknologjisë dhe informacionit, përmes programit të kodimit codmonkey. Këtë vit, ky program zgjerohet për klasën e katërt, për të gjithë nxënësit pjesë e shkollave ku sot smartlab-et janë funksionalë.
Me një udhëzim të veçantë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka përcaktuar rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular e pajisjeve të ndërlidhura me të në institucionet arsimore parauniversitare.
Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.
Gjatë këtij viti mësimor janë të angazhuar 640 mësues kordinatorë, 2 mijë e 260 arsimtarë ndihmës për nxënësit me aftësi të veçanta, me një rritje prej 150 më shumë se në vitin e kaluar. Transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.
Ndër të tjera, MAS-i bën të ditur se janë akorduar 3 mijë e 500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare. Ndër risitë e vitit të ri shkollor 2025-2026 është edhe Konkursi Kombëtar i Teatrove për nxënësit e klasave të teta e të nënta. Po ashtu, Festivali Kombëtar i Shkencës për gjimnazet, si dhe vijimi i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta në vendin tonë.