Sport

Një formacion i plotë largohet nga Juventusit, ja kush pritet të lërë Torinon

Tribunat e “Allianz Stadium” kanë përjetuar emocione të përziera në përballjen e fundit të sezonit ndaj Udinezes. Një fitore 2-0 që shërbeu jo vetëm si lamtumirë e përkohshme me tifozët, por ndoshta edhe si përshëndetje përfundimtare për disa lojtarë që nuk do të jenë më pjesë e “Zonjës së Vjetër” sezonin e ardhshëm.

Teksa tifozët ëndërrojnë emra të mëdhenj, si Sandro Tonali dhe Viktor Osimhen për të sjellë kthesën cilësore, realiteti i ftohtë i merkatos është i mbushur me largime të pashmangshme. Dushan Vlahoviç është emri më i madh në listën e të larguarve. Një sezon i çuditshëm për të, i nisur si shpëtimtari i sulmit dhe i përfunduar si emër në listën e transferimeve. Me një kontratë që peshon 12 milionë euro në vit dhe pa negociata serioze për rinovim, largimi i tij duket i sigurt.

Në të njëjtin repart, Randal Kolo Muani, që herë ndriçoi dhe herë u shua në skemat e Juventusit, mund të kthehet në Paris, meqë një marrëveshje e re me PSG-në është thuajse e pamundur për shkak të kostos së lartë të kartonit. Ndërkohë, Arkadiuzh Milik, i cili nuk arriti të kontribuonte gjatë një sezoni të mallkuar për të, është më shumë një emër në listën e transferimeve sesa një aset për të ardhmen. Por lista e ndryshimeve nuk përfundon me ta.

Të rinjtë si Renato Veiga dhe Fransisko Konseisao, që treguan shkëndija cilësie, nuk kanë siguri për të ardhmen e tyre në Torino. Konseisao, me një klauzolë prej 30 milionë euro në kontratën me Porton, duket se është jashtë prioriteteve financiare të klubit. Po ashtu, marrëveshjet me klubin e Çelsit për Veigan mbeten të vështira, ndërsa emra si Matia Perin e shohin gjithnjë e më shumë të mundshme një aventurë të re larg bardhezinjve.

Në horizont, Juventusi sheh me sy të qartë një rinovim të thellë. Me të rinj si Vasilije Adziç dhe produktet e “Next Gen” (Savona, Mbangula, Ruhi) që ndoshta do të huazohen për të fituar përvojë, klubi kërkon të rindërtojë bazat për një të ardhme të fortë, duke ecur ndërmjet zgjedhjeve të mençura në merkato dhe llogaritjeve të kujdesshme financiare. Nëse e shikojmë në tërësi, ajo që po ndodh në Torino nuk është thjesht një pastrim i dhomës së zhveshjes, por një revolucion që synon të rikthejë Juventusin në majat ku historikisht i takon të jetë.