Bota

Një ish i dërguar amerikan për Ballkanin për postin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet Europiane e Euroaziatike!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden njoftoi synimin për të emëruar ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin, Jim O’Brien, si Ndihmës të Sekretarit të Shtetit për çështjet Europiane dhe Euroaziatike. Propozimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë, tashmë pret konfirmimin nga Senati Amerikan. James (Jim) O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit të Uashingtonit zyrtar gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Që nga viti i kaluar, Jim O’Brien punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, më parë, O’Brien ka shërbyer në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai ka qenë këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe po ashtu i dërguari presidencial për Ballkanin. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet:

Jim O’Brien ka udhëhequr një program të madh e të suksesshëm sanksionesh, si dhe këshilloi për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Europë, marrëveshjet shkencore e ato mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë e të Ukrainës. Po ashtu, iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krime të luftës.

O’Brien ishte i angazhuar dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë-Hercegovinë e ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

Ndër të tjera, zyrtari i Uashingtonit udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, institucion që ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.